Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhëna për statistikat e investimeve në ndërmarrje për vitin 2020.

Në bazë të anketës së zhvilluar nga ASK-ja, anketë kjo e zhvilluar kryesisht në ndërmarrjet që kanë deklaruar blerje investive në shumë vjetore mbi 50 mije euro, del se investimet në ndërtim (ndërtesa dhe struktura të tjera ndërtimore) zënë peshën kryesore me 77.25% të investimeve, në kuadrin e investimeve totale të ndërmarrjeve të përfshira në anketë.

Investimet e tjera, që zënë një peshë të konsiderueshme, sipas ASK-së, janë ato në makineri dhe pajisje me 18.19%; investimet me një peshë më të vogël janë në produktet e pronësisë intelektuale 0.89%; në investimet biologjike të kultivuara dhe serat në bujqësi me 0.3%; si dhe investimet në asete të prekshme (jo të prodhuara) me 3.35%.

“Sipas madhësisë se ndërmarrjeve: 15.65% e investimeve janë realizuar nga ndërmarrjet mikro (1-9 punëtorë); 35.83%në ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë); 40.98% në ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë); dhe 7.54% në ndërmarrjet e mëdha (250 e mbi punëtorë)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Sipas rezultateve, ndërmarrjet në rajonin e Mitrovicës kanë rezultuar me përqindjen më të lartë të investimeve (27.25%); në rajonin e Prishtinës (25.77%); në rajonin e Prizrenit (25.62%); në rajonin i Ferizajt (8.71%); në rajonin e Gjakovës (6.28%); në rajonin e Pejës (5.29%) dhe në rajonin e Gjilanit (1.08%).https://zeri.info/inarticle.html

Sipas burimit të fondeve për investime, rezultatet tregojnë se 57.38% të vlerës së investimeve ndërmarrjet i kane realizuar nga fondet e veta; 22.27% nga kreditë bankare vendore; 11.40% nga kreditoret e huaj; 2.64 % nga bashkë-investitorët vendorë; dhe 1.88% nga bashkë-investitorët e jashtëm.

Ndërkaq, burimet e tjera zënë një peshë më të vogël.